Ministri i Sportit, Blerim Gashani, ka siguruar qytetarët se Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030, duke theksuar se përkushtimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti mbetet i palëkundur.

Përmes një reagimi në Facebook, Gashani ka bërë të ditur se puna po vazhdon në bashkëpunim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe institucionet përkatëse, me synimin që të gjitha obligimet të përmbushen sipas standardeve dhe afateve të përcaktuara.

Ai ka kritikuar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për publikimin e korrespondencës institucionale, duke e cilësuar reagimin e tij si të tepruar dhe të pabazë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuese e tyre. Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, ka deklaruar Gashani.