Asambleisti i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Arian Imeri, ka reaguar lidhur me debatet politike për Gjykatën Speciale dhe çështjen e UÇK-së.

Imeri ka deklaruar se, nëse dikush kushtëzon votën për një ligj që lidhet me Specialen me marrjen e postit të Presidentit, atëherë, sipas tij, çështja e UÇK-së rrezikon të shndërrohet nga një çështje e drejtësisë, historisë dhe interesit shtetëror në një çështje të pazareve politike.

“UÇK-ja nuk është pronë e asnjë partie. UÇK-ja nuk është kartë për pazare politike. UÇK-ja nuk mund të përdoret si kusht për një post”, ka shkruar Imeri.

Ai ka theksuar se mbrojtja e asaj që e konsideron të vërtetën e luftës së UÇK-së duhet të jetë, sipas tij, një çështje parimore dhe jo mjet për përfitime politike.

“Nëse besojmë se drejtësia në Hagë ka prekur padrejtësisht luftën dhe njerëzit që udhëhoqën atë luftë, atëherë mbrojtja e së vërtetës së UÇK-së duhet të jetë parim — jo mjet për të marrë Presidentin, Qeverinë apo pushtetin”, është shprehur Imeri.