Nga Ben Apolloni
Kjo komedi, e shkruar bukur nga Dituri Neziraj dhe nën drejtimin e regjisorit Faik Gashi, me interpretimin e roleve nga nxënësit-aktorë Aroma Berisha, Ensa Piliqi, Hadi Shehu, Natyra Berisha dhe Suela Krasniqi, na bëri të qeshim me situatat që shpesh na e nxijnë jetën.
Kam parë shfaqje nëpër teatro të ndryshme, por asnjëherë nuk jam emocionuar si nga shfaqjet që kam parë në këtë sallë, ku një ditë do të bëhet Teatri i Kaçanikut. Edhe mbrëmë qesha dhe, në fund, u përlota.
Pas shfaqjes, teksa i takoja dhe i uroja ekipit, m’u kujtua një poezi, të cilën po e postoj më poshtë si mesazh për aktorët e rinj që i pashë mbrëmë në skenë, por edhe për të gjithë ata që ishin në sallë dhe e ndoqën shfaqjen:
Teatri të mëson të jesh i madh
Teatri të mëson të jesh i madh.
Nuk ka rëndësi nëse bëhesh apo nuk bëhesh aktor i madh kur të rritesh. Teatri të mëson të jesh i madh.
Të mëson të luftosh dhe të mos dorëzohesh.
Të mëson të mos kënaqesh.
Të mëson se askush nuk të fal asgjë dhe gjithçka duhet ta fitosh vetë.
Të mëson respektin dhe disiplinën.
Të mëson të ringrihesh pas humbjeve.
Të mëson të shohësh brenda syve, sepse ti e di se brenda atyre syve përmbyllen qindra histori.
Të mëson të mos i gjykosh ato histori.
Të mëson t’ia nisësh nga e para dhe të mos kesh frikë nga jeta.
Të mëson se, kur diçka mbaron, diçka tjetër, më e bukur, do të rifillojë.
Nga Maurizio Gianandrea
Përktheu: Elona Caslli

