Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka reaguar ndaj përleshjeve dhe përdorimit të dhunës policore ndaj veteranit dhe invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkrimtarit dhe qytetarit të Ferizajt, Gazmend Bytyçi, si dhe protestuesve të tjerë.

Aliu i ka cilësuar shkopinjtë e policisë si “shkopinj ndaj lirisë” dhe ndaj zërit të revoltës qytetare, duke shprehur mospajtimin me atë që e quan dënim të luftës së drejtë dhe çlirimtare të Kosovës.

“Këta shkopinj të dhunës së pashembullt policore ndaj veteranit e invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, drejtorit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shkrimtarit e shokut tonë, Gazmend Bytyçi, si dhe protestuesve tjerë, janë shkopinj policor ndaj lirisë, ndaj zërit të revoltës gjithëpopullore që shpreh mospajtimin dhe papajtueshmërinë për dënimin e luftës sonë të drejtë e çlirimtare”, ka shkruar Aliu.

Në reagimin e tij, kryetari i Ferizajt i është drejtuar drejtpërdrejt Bytyçit:

“Gazi, heroi i luftës dhe i paqes, nuk ka shkop që thyen trimërinë, atdhedashurinë, shpirtin tënd luftarak e veprën lavdiplote që ia fale lirisë së Kosovës.”

Gazmend Bytyçi është veteran i UÇK-së, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe aktualisht drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Ferizajt. Sipas të dhënave zyrtare të Komunës, ai ka shërbyer edhe në TMK me gradën major dhe ka qenë kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së.