Ferizaj / Hagë — Në prag të vendimeve përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë lidhur me procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një gazetar gjerman ka reaguar ashpër ndaj tentativave për paralele historike apo juridike mes UÇK-së dhe kriminelëve të luftës serbë.
Sipas tij, çdo përpjekje për të barazuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me ish-gjeneralin serb Ratko Mlladiq i dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit përbën një gabim fundamental në shumë aspekte.
Ai ka theksuar se krahasime të tilla shpërfillin natyrën e konfliktit në Kosovë, ku UÇK-ja zhvilloi një luftë çlirimtare për mbrojtjen e popullsisë civile ndaj një aparati shtetëror shtypës, ndryshe nga orkestrimi i gjenocidit dhe spastrimit etnik të udhëhequr nga figura si Mlladiqi.
Deklarata vjen në një moment mjaft delikat të procesit gjyqësor në Hagë, duke nxjerrë sërish në pah debatin mbi objektivitetin e gjykimit dhe ruajtjen e së vërtetës historike për luftën në Kosovë.



