Teatri “Adriana” në Ferizaj nis një kapitull të ri të funksionimit me emërimin e aktorit Mevlan Saraçi në pozitën e drejtorit. Me këtë rast, në takimin e sotëm që patë drejtori i ri me kryetarin e Komunës Agim Aliu dhe Drejtorin e Kulturës Gazmend Bytyçi, u diskutua për planet dhe projektet e ardhshme, me synim zhvillimin e mëtejshëm të veprimtarisë artistike dhe forcimin e rolit të teatrit në jetën kulturore të qytetit.
Me një përvojë të gjatë në skenë dhe një kontribut të njohur në artin teatror, Mevlan Saraçi si drejtues i Teatrit “Adriana”, pritet të sjellë përvojën dhe përkushtimin e tij profesional në shërbim të zhvillimit të jetës teatrore në Ferizaj.
Me këtë rast, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport shpreh mirënjohje të veçantë për Fatmir Hysenin, i cili për plot 21 vjet udhëhoqi Teatrin “Adriana”. Përgjatë më shumë se dy dekadave, angazhimi i tij në drejtimin e këtij institucioni ka qenë pjesë e rëndësishme e zhvillimit dhe vazhdimësisë së veprimtarisë teatrore në qytetin tonë. E falënderojmë për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij të çmuar në shërbim të teatrit dhe kulturës ferizajase.
Mevlan Saraçit i urojmë suksese në detyrën e re, me besimin se bashkëpunimi institucional do të vazhdojë në funksion të zhvillimit artistik dhe të krijimit të mundësive të reja për Teatrin “Adriana”.



