Gëzim Arifi
Letërsia dhe miti mund të përkthehet ndryshe si sintezë e studimeve të tij në fushën e letërsisë. Përmes 17 studimeve që përfshin ky libër, Gashi na sjell një studim shterrues për një problem universal siç është miti. Ndërthurja e teksteve teorike, krahasuese dhe sugjeruese e bën këtë libër studimor të hapë rrugën e studimeve shqiptare kah problemet më të mëdha të letërsisë, por këtë herë jo vetëm brenda kufijve.
Gashi niset nga shpjegimi i mitit në fillesat e tij, duke kaluar në marrëdhënien e letërsisë me mitin, dimensionet e kohëhapësirës, për të kaluar më tej në analizë krahasuese mes veprave të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore. Është pikërisht kjo shtrirje që e bën studimin e Gashit të qëndrojë krahas librave të tjerë studimorë botërorë. Në pjesën e parë të librit, ku merret me mitin dhe rifunksionalizmin e mitit në kohë të ndryshme, Gashi e sheh mitin si mediumin që bashkon botën reale me atë imagjinare.
Dhjetë studimet që përmban pjesa e parë e librit vijnë si trajtime teorike të problemeve më të vjetra të letërsisë. Vetë natyra teorike e kësaj pjese na tregon se problemeve që trajtohen nuk kërkohet t’u jepet një zgjidhje, por të rimerren dhe të studiohen problematikat thelbësore të letërsisë, duke i parë gjithmonë në raport me studimet e mëparshme. Përmes librit studimor Letërsia dhe miti, Gashi arrin të krijojë profilin e vet të studiuesit, që e bën të qëndrojë tërësisht i pavarur ndaj studiuesve të tjerë që janë marrë me problemin e mitit dhe lidhjet e tij me letërsinë.
Ndërsa në pjesën e dytë që është e natyrës krahasuese ne shohim vulën e studiuesit në krahasimet që ai bën. Duke e vënë Seremben përballë Leopardit, Poradecin përballë Alfred de Myse-së e Migjenit dhe Fishtën përballë traditës letrare botërore, Gashi sjell risi në studimet komparatiste.
Pjesa e tretë ka karakter sugjerues dhe trajton kryesisht vështirësitë e vendosjes së kufijve të letërsisë dhe problemet pragmatike të letërsisë, në të cilat përfshihet edhe roli i mësimdhënësit, për ta mbyllur me studimin Moderniteti dhe “rizbulimi i vetvetes”, ku parashtron dilemat e objektit të trajtuar.
Ky libër studimor, nisur nga rëndësia, objekti, metodat dhe risitë, qëndron jo vetëm si libër përfaqësues i Gashit, por edhe si përfaqësues i studimeve shqiptare të deritanishme.
