Nga Ben Apolloni

Një festë e teatrit shqiptar, përnjëmend

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, ku unë, si anëtar i tij, kam marrë pjesë, pata propozuar që Festivali “Moisiu” (ku një nga tre organizatorët është TKK-ja) të modifikohej dhe të bëhej një festë e vërtetë e teatrit shqiptar, e jo vetëm edhe një organizim i zakonshëm sa për t’i shpërblyer me çmime shokët e shoqet.

Në vazhdim po e paraqes atë që, pak a shumë, e kam thënë edhe në atë takim dhe që është e protokolluar.

Propozimi im është që të bëhet një festival ku të gjithë teatrot shqiptarë, publikë e privatë, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut (përfshirë edhe teatrin e Preshevës), të ishin organizatorë të barabartë. Secili teatër do të kishte të drejtën të propozonte shfaqjen (ose shfaqjet) me të cilat do të prezantohej.

Shfaqjet, më pas, do të shiheshin nga një juri, e cila do të përbëhej nga një komision vlerësues i krijuar me nga një artist të propozuar prej secilit teatër shqiptar.

Kjo juri do të bënte nominimet dhe do të vendoste edhe për çmimet, të cilat do të ndaheshin në një natë finale, në një Gala të Teatrit Shqiptar.

Çmimet që do të ndaheshin do të ishin:

• Shfaqja më e mirë

• Regjia më e mirë

• Roli më i mirë femër

• Roli më i mirë mashkull

• Teksti më i mirë origjinal (dramë e një autori shqiptar)

• Skenografia më e mirë

• Kostumografia më e mirë

• Muzika më e mirë

• Ndriçimi më i mirë

• Kritika më e mire

• Përkthimi më i mire

• etj.

Secili çmim, përveç statuetës apo plaketës, do të shoqërohej edhe me një shumë parash. Ndërsa çmimi për Shfaqjen më të Mirë do të kishte një shumë më të madhe, për shembull, 50 mijë euro.

Pse mendoj se një organizim i tillë do të ishte më i dobishëm për teatrin shqiptar?

Sepse, kur të gjithë teatrot do të ishin palë të barabarta në organizim, mundësitë për të manipuluar me ndarjen e çmimeve do të ishin shumë më të vogla. Për më tepër, çmimet që do të ndaheshin do të kishin një prestigj shumë më të lartë, sepse do të ishin rezultat i një procesi ku do të përfaqësohej dhe vlerësohej i gjithë teatri shqiptar.

Ky lloj organizimi do të kishte edhe një kosto më të ulët. Për organizimin e Festivalit “Moisiu”, është thënë se nga tre teatrot organizatorë janë ndarë rreth 60 mijë euro. Një festival i përbashkët, i organizuar nga të gjithë teatrot shqiptarë, do të mund të ishte jo vetëm më ekonomik, por edhe shumë më i rëndësishëm për promovimin dhe zhvillimin e artit teatror shqiptar.

Mbi të gjitha, do të krijonte një ngjarje të përbashkët të teatrit shqiptar, ku artistët, teatrot dhe publiku do të ndiheshin pjesë e së njëjtës skenë kulturore.

Një festival që nuk do të ekzistonte thjesht për të ndarë çmime, por që do t’i jepte teatrit shqiptar një festë të denjë për të.