Tzvetan Todorov (1939) është teoricien bulgaro-freng, i cili jeton në Francë nga vitit 1963. Bashkë me Bartin dhe Zhenetin, përbën treshen e kritikëve strukturalistë të Qarkut të Parisit. Shkruan teori letrare, teori të kulturës dhe filozofi. Disa nga veprat e tij më të njohura janë: Hyrje në letërsinë fantastike, Poetika e prozës, Fryma e Iluminizmit, Shpresa dhe kujtime etj. Kurse libri Letërsia në rrezik është një vepër që ndërron kursin e mendimit të Todorovit mbi letërsinë. Duke komentuar dëmet që ka shkaktuar strukturalizmi, Tvetan Todorovi përmbys një koncept sipas të cilit teksti është autonom dhe i shkëputur nga kuptimi dhe konteksti. Në njëfarë mënyre, ai me këtë libër ka rrënuar atë ngrehinë të cilën e kishte ngritur bashkë me shokët e tij strukturalistë. Me këtë vepër ai jep alarmin për ndërrimin e metodave të mësimit të letërsisë dhe për afrim më të madh më idetë e produktit letrar, pasi që, sipas tij, kuptimi dhe idetë janë shpirti i veprës, shpirt ky i shpërfillur në studimet strukturale.

Sipas Todorov, shkolla nuk na mëson se çfarë flasin veprat, por na mëson çfarë thonë kritikët për veprat. Ai shton se nuk është gabim për të eksploruar metoda për të kuptuar veprat, por duke i kthyer mjetet në qëllim letërsia nuk zbulon asnjë lidhje me botën, kthehet në formalizëm të pastër. Ai ka një lloj pendese në lidhje me gjendjen e mësimdhënies së letërsisë nëpër shkolla, sepse edhe vetë ishte një nga përfaqësuesit dhe përgjegjësit e zhvillimit të metodës strukturaliste, që evitonte përmbajtjen në favor të strukturës formale. Por, ai gjithashtu thotë se atëherë qëllimi i strukturalizmit ishte i mirë, ngaqë hiqte prej përdorimit një metodë të vjetër që kufizohej kryesisht me biografizmin, psikologjizmin dhe historicizmin. Mirëpo ai është kundër reduktimit të letërsisë deri në absurd: “Me kalimin e kohës, e kam vërejtur me një dozë befasie se: roli i shquar që i njihja letërsisë nuk ishte i pranuar nga të gjithë”.1 Todorovi madje jep shenja pro metodave integrale për ta rrokur sa më mirë kuptimin: Është e vërtetë se kuptimësia e veprave nuk reduktohet në gjykim tërësisht subjektiv të nxënësit, por lidhet me punën në zgjerimin e dijes. Për ta bërë këtë mund të jetë e dobishmepër këtë nxënës që të mësojë fakte të historisë letrare ose disa prej parimeve të dala nga analiza strukturale. Megjithatë, në asnjë mënyrë studimi i këtyre mjeteve të qasjes nuk duhet të vihet në vendin e kuptimësis, që është qëllimi i fundit i tij”.

Pa hequr dorë nga kontributet dhe rëndësia e strukturalizmit, Todorovi kërkon që metoda të mbetet gjithmonë metodë dhe të mos shndërrohet në mjet, se një shndërrim të tillë gjithmonë e vuan letërsia artistike. Ai ankohet se duke analizuar gjëra periferike, kemi humbur kuptimin e veprës.

Duke mbrojtur letërsinë si rrugën që shpie drejt humanizmit, ai mbron anën qendrore të letërsisë si produkt mendor. Prandaj, vepra e tij vjen si një alarm për të mbrojtur dicka që është tepër e nevojshme. Në këtë libër konciz dhe të saktë, historiani i famshëm i ideve vë gishtin mbi plagën e harruar dhe provon të kthejë sërish në skenë disa parime të metodave të tejkaluara. Pra, ai nuk kërkon kthim të metodave, por kthim të disa parimeve.

Nëse romani duket agoni, nëse studimet letrare janë bërë të parëndësishme, është faji i formalizmit, si dhe e strukturalizmi të pashembullt në klasë, teknikat gjuhësore dhe stilistike që kanë "mbytur" çështjen e kuptimit. Nën ndikimin e strukturalizmit, letërsia është bërë, sipas tij, një gjuhë e mbyllur, e vetëmjaftueshme, absolute. Ky konceptim i ngushtë i letërsisë, i cili ka varfëruar botën në të cilën jetojmë, ka dalë nga metodat e mësimdhënies, të cilat janë bazuar në studimet e modës.

Letërsia në rrezik është vepër për nga vëllimi modest, por me një rëndësi dhe domethënie mjaft të madhe përsa i përket përmbajtjes, tematikës dhe ideve që hidhen në të. Autori ngre një problematikë mjaft të rëndësishme për studimin e letërsisë në shkollat e mesme, po ashtu, edhe në nivelet universitare në Francë. Problematikë që mund të haset lehtësisht edhe në programet dhe kurrikulat e lëndës së letërsisë në shkollën shqiptare. Tendencën e orientimit të letërsisë jo nga të menduarit për gjendjen njerëzore, individin apo shoqërinë, dashurinë apo urrejtjen, gëzimin apo dëshpërimin, por mbi nocione kritike, tradicionale e moderne, Todorovi e sheh si të dëmshme dhe jashtë objektivave të studimit të kësaj lënde në nivele të tilla arsimore.

Problemi i teorizimit të tejskajshëm të letërsisë e bën atë që të mos merremi me veprën konkrete të autorit, por të fillojmë e të diskutojmë për koncepte abstrakte e të sajuara nga analiza letrare. “Mund edhe të vëmë bast se Russeau, Stendhal dhe Proust do të mbeten të afërt për lexuesit edhe për një kohë të gjatë pas momentit të harrimit të emrave të teoricienëve aktualë ose të ndërtimeve të tyre konceptuale, duke dëshmuar kështu një farë mungese të përulësisë me ligjërimin e teorive tona në raport me veprat, në vend që ta bëjmë atë me vetë veprat. Ne –

specialistë, kritikë letrarë, profesorë, – në të shumtën e kohës nuk jemi gjë tjetër përveç se xhuxhë të strukur nën sqetullën e viganëve”.

Problemin e reduktimi të letërsisë në absurd, ai e sheh te strukturalizmi, pa i mohuar kësaj shkolle vlerat dhe risitë që ajo sjellë në studimet teoriko-letrare të letërsisë. Ai e sheh strukturalizmin si çështje mode, ashtu si dikur historicizmi apo si nesër një shkollë tjetër, duke këshilluar ruajtjen e funksionit të mjetit të studimit të letërsisë e jo kthimit në qëllim në vete. E thënë ndryshe, një vepër e caktuar letrare nuk duhet studiuar vetëm formalisht, por duhet ndërthurur edhe me elementë të jashtëm, në një kontekst të caktuar dhe në dialog me receptuesin e kohës.

Pra, duhet të kemi një harmonizim të qasjes së brendshme (studimit të marrëdhënieve në mes të elementeve të një vepre) me qasjen e jashtme (studimi i kontekstit historik, ideologjik, estetik). Një plotësim i këtyre dy raporteve do të bënte që studimi i një vepre të caktuar letrare të ishte më i saktë dhe më i kompletuar.

Mirëpo, sipas Todorov-it, teza sipas së cilës letërsia nuk hyn në lidhje kuptimplotë me botën dhe si rrjedhim vlerësimit të saj nuk i mbetet të ketë kujdes se për çfarë flet, nuk është një shpikje e ditëve të sotme e as një kontribut i strukturalistëve, por është një prurje e njëkohshme e modernitetit. Është pikërisht moderniteti ai që çshenjtëroi hyjnoren dhe bëri njëkohësisht shenjtërimin e artit. Këtë e bëri, së pari, duke e krahasuar artistin-krijues me Zotin dhe, së dyti, duke theksuar se qëllimi i poezisë nuk është as të imitojë natyrën, as të edukojë e as të kënaqë, por të prodhojë bukuri. E gjithë kjo e thënë nëpërmjet një formule tjetër “arti për vetveten” ose “arti për art”. Gjithsesi, që nga antikiteti e në vijim te Romantizmi, arti mbetet një njohje e botës. Sipas Todorovit, “letërsia mund të bëjë shumë gjë. Ajo mund të na shtrijë dorën atëherë kur jemi thellësisht të dëshpëruar, të na drejtojë nga qeniet e tjera njerëzore përreth nesh, të na bëjë të kuptojmë edhe më mirë botën dhe të na ndihmojë të jetojmë”.

Tzvetan Todorovi është sot një prej personaliteteve më autoritativ në fushën e studimeve letrare, i cili edhe në këtë libër tërheq vëmendjen e kthimit te shpirti i artit, te shpirti i letërsisë, tek aftësia e saj për të ndryshuar gjendjen dhe shpirtin njerëzor. Ai është për një komunikim të pashtershëm të letërsisë, për futjen e veprës letrare në të vërtetat e përbashkëta; të thënit të së vërtetës, sipas tij, është kërkesa e vetme legjitime që mund t’ia adresojmë tekstit, edhe pse kjo e vërtetë është në një masë të lidhur me edukatën tonë morale. “Përse e dua letërsinë? – pyet

Todorovi në fillim të librit. -“Sepse ajo më ndihmon të jetoj…. Larg të qenit një argëtim, një dëfrim i rezervuar vetëm për personat e edukuar, ajo i mundëson secilit që t’i përgjigjet më mirë prirjes personale të të qenit njeri”. Ai ndër të tjera shkruan se si filozofia dhe shkencat humane, edhe letërsia është mendim dhe njohje e botës psikike dhe shoqërore në të cilën jetojmë. Duke qenë e tillë, letërsia bëhet fusha më e veçantë e komunikimit njerëzor. Sipas Todorovit, letërsia transformon nga brenda qenien e secilit nga lexuesit e saj.