Deputeti Elmi Reçica njoftoi të hënën se sonte në Ferizaj është vendosur “Ora e Pritjes”, një simbol i ditëve që ndajnë qytetarët e Kosovës nga 16 shtatori, data kur pritet të shpallet verdikti final ndaj çlirimtarëve të UÇK-së në Hagë.
Në një status publik, Reçica shkruan:
“Liria ka emër, zbarkon në Ferizaj.
Sonte në Ferizaj vendosëm Orën e Pritjes, si simbol të ditëve që na ndajnë nga 16 Shtatori, kur pritet të shpallet verdikti final ndaj çlirimtarëve tanë në Hagë.
Çdo sekondë që kalon na afron me atë ditë, të cilën e presim me shpresë, besim dhe bindje të palëkundur në pafajësinë e liderëve të luftës së UÇK-së. Le të jetë kjo orë simbol i qëndresës sonë dhe i besimit se drejtësia do të triumfojë.
Kosova nuk harron. Kosova pret. Kosova shpreson.”
Në ekranin e madh të vendosur në qytet shfaqet numërimi 22:13:06:33, i cili simbolizon kohën e mbetur deri në datën e pritur të vendimit.
Me këtë iniciativë, deputeti Reçica dhe qytetarët e Ferizajt dërgojnë një mesazh të qartë: Kosova pret me dinjitet dhe bindje të plotë se drejtësia do të triumfojë për liderët e luftës çlirimtare.


